The GeoTalks: Propaganda dhe fuqia e dezinformimit, me Festim Rizanaj
The GeoTalks: Propaganda and the power of disinformation, with Festim Rizanaj
The GeoTalks: Propaganda dhe fuqia e dezinformimit, me Festim Rizanaj
The GeoTalks: Propaganda and the power of disinformation, with Festim Rizanaj

https://www.youtube.com/watch?v=KbDV7zyfrCg&t=142s
Naile Dema: Përshëndetje! Kënaqësi të takohemi në episodin e radhës të “The Geotalks”. Do të vazhdojmë të flasim për narrativat propaganduese, për fake news, për të gjitha llojet e çrregullimit të informacionit. Në Kosovë pak janë, por ka megjithatë, platforma që e bëjnë verifikimin e informacionit, nëse një video, një fotografi, një deklaratë është apo nuk është e vërtetë. Në mes të këtyre platformave shumë serioze, e cila ju rekomandoj të jetë pikë referente për ju kurdo që keni dyshime nëse një lajm është i vërtetë apo nuk është i vërtetë, thjesht klikoni hibrid.info edhe nëse aty e shihni që lajmi nuk ka qenë i vërtetë, dijeni që përnjëmend nuk ka qenë i vërtetë. Hulumtues në këtë platformë është Festim Rizanaj. Festimi është sot me mua. Festim, faleminderit shumë, mirë se erdhe!
Festim Rizanaj: Faleminderit juve për ftesën!
Naile Dema: Çka po thonë hulumtimet e fundit? Cilat janë fake news-at ose çrregullimet e informacionit që më së shumti po përdoren për me prekë këtë sentimentin e njerëzve, sentimentin, emocionin, ta quajmë ndryshe?
Festim Rizanaj: Është interesante domethënë të konfliktet ndërkombëtare po gjejnë vend edhe në hapësirën tonë digjitale, në njëfarë forme në media sociale. Rasti i fundit domethënë që ndodhi, këto sulmet me raketa mes Izraelit, ShBA-së dhe Iranit, në njëfarë forme kanë zënë hapësirë nëpërmjet videove të manipuluara, videove disa prej tyre të gjeneruara me inteligjencë artificiale, po njëkohësisht edhe sekuenca nga video-lojëra të ndryshme janë përdorur thjesht me idenë se paraqet pamje autentike nga këto sulmet me raketa, bombardimet e ndryshme që ndodhin. Është interesante edhe domethënë u pretendua se doli pamja e parë pas vrasjes së liderit suprem të Iranit, Khamenei domethënë, po kur u klikua ajo, ai imazh doli që të jetë gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Naile Dema: Bile ishte ja pamjet nga vendi i ngjarjes, kështu diçka. Edhe kjo doli që ka qenë e manipuluar, nuk është e vërtetë.
Festim Rizanaj: Po siç ndodhi edhe me Maduron, në njëfarë forme kur u shfaq ajo fotografi me idenë pas arrestimit të Maduros, po edhe ai doli të jetë me inteligjencë artificiale. Dhe mbetet sfidë kjo çështje sidomos në rrjete sociale për shkak se verifikimi po mungon edhe po plasohen këto me viralitet të madh. Ka disa praktika për shembull që i kemi vërejtur se për shkak të rrethanave ndërkombëtare, në X kryesisht po informohen njerëzit për këto zhvillime dhe është tentuar që nëpërmjet Grok-ut me kërku përgjigje për disa përmbajtje, po është vërejtur që edhe Grok-u nuk arrin me dhënë përgjigje domethënë të sakta se këto përmbajtje a janë të manipuluara apo jo.
Naile Dema: Kaq shumë e kanë sofistikuar krijimin e tyre saqë nuk po i identifikojnë as platformat që janë të thirrura me i identifikuar?
Festim Rizanaj: Përveç asaj, ndoshta mund të themi që edhe politikat e këtyre chat-bot-ve nuk janë të azhurnuara deri në atë masë që të arrijnë me identifikuar në nivelin më të lartë domethënë këto përmbajtje se a janë të vërteta apo jo. Shembulli është edhe te Google-i që gjatë kërkimeve, ajo pjesa e AI Overview domethënë që të jep një pasqyrë me inteligjencë artificiale për këto përmbajtje, edhe ajo në raste të caktuara nuk po arrin që t’i identifikojë këto përmbajtje a kanë të bëjnë me konfliktin, a janë pamje të vjetra nga lufta në Siri apo sulmet e qershorit të vitit të kaluar, apo janë pamje të video-lojërave të ndryshme që janë përdorur në këtë rast, edhe mbetet sfidë edhe pse Google-i domethënë ka një databazë të madhe domethënë të informacionit, edhe ajo nuk po arrin të japë një informacion të saktë në këtë aspekt.
Naile Dema: Përndryshe kur e the shumë mirë që kur flasim për këto konfliktet ndërkombëtare, sidomos këto që lidhen me Lindjen e Mesme ose në përgjithësi arenën ndërkombëtare po zgjojnë interes. Në kuadër të këtij konflikti të fundit në Iran, ishte një informacion që ka mundësi të ketë një sulm në Bondsteel ose mbyllje të Bondsteel-it, kështu diçka e ngjashme. Çka ndodhi Festim? Qysh, qysh ka qenë rrjedha e këtij fake news-i që u shpërnda kaq shumë?
Festim Rizanaj: Po këto janë dy elemente te kjo përmbajtje. Një është që është bërë domethënë një lloj thirrjeje, po e quaj thirrje se u komentua në formë të tillë, në kanalet në gjuhën serbe në Telegram, të cilët i vendosën koordinatat e Bondsteel-it edhe me idenë që edhe ky është target i Iranit për t’i sulmuar bazat ushtarake domethënë amerikane. E dyta është, është përdorur një imazh domethënë i kaluar që ushtria amerikane e ka bërë për këto raketat balistike se sa e kanë rrezen e veprimit, domethënë diku me rrathë të caktuar dhe ajo domethënë që arrinte në gjatësi më të madhe që ishte 2000 kilometra, domethënë e përfshinte edhe Kosovën edhe kjo u përdor që ja Irani e publikoi domethënë hartën se ku do të godasë dhe në target të saj është edhe Kosova.
Naile Dema: Prej ku e kishin menduar me gjuajtur me kap këtë rreze 2000 kilometra?
Festim Rizanaj: Prej Iranit. Domethënë një imazh i vjetër, një hulumtim që e ka bërë domethënë ushtria amerikane, po i mëparshëm, këta e kanë përdorur, e kanë ripublikuar me idenë se Irani e publikoi hartën dhe nëpërmjet kësaj, në target në këtë rreze të veprimit po hyn edhe Kosova dhe kështu që për t’i identifikuar se Kosova është në njëfarë forme shënjestër e Iranit për sulm.
Naile Dema: Kush ka, a mundet me u gjetë burimi i këtyre fake news-ave, këtyre manipulimeve Festim? A gjendet prej kah nis edhe qysh shpërndahet mandej?
Festim Rizanaj: Problemi është se në media sociale secili prej nesh po ka mundësi me hapë një faqe edhe me plasu çka të dojë. Edhe tash ne, media unë si quaj media ato, po një faqe e caktuar, një lloj publikuesi se na është dhënë kjo mundësi, edhe ne nuk po arrijmë me gjetë domethënë se kush qëndron prapa tyre se secili po mundet me hapë një faqe të tillë. A janë në mënyrë të organizuar apo jo, nuk po mundem me bë vlerësim të tillë. E vetmja mënyrë është me gjetë nga cili laptop apo kompjuter, IP, është bërë domethënë një plasim i tillë dhe kjo hyn në aspektin më shumë siguri kibernetike. Por që ka faqe të tilla që krijohen herë pas here, që krijohen në rrethana të caktuara në bazë të dinamikave të zhvillimeve, ka. Po më e keqja është se audienca këto i përcjell domethënë, u bën like, u bën follow, sepse ata përdorin këto truke të caktuara që ja vendosin prapashtesën “media” apo “info” apo “gazeta” edhe te ne ky perceptimi është që nëse e ka domethënë atë prapashtesë, është media. Po në fakt unë gjithmonë e them që këto nuk janë media dhe nuk merren referencë për informacione sepse përdoren për interesa të caktuara. Ka të tillë për shembull që e krijojnë faqen edhe nëpërmjet këtyre përmbajtjeve sepse këto gjenerojnë shumë shikime, shumë klikime, e rrisin faqen, pastaj e ndërrojnë kontentin edhe mundet me e shitë për përfitime financiare. Por ka edhe të tillë për shembull që e përdorin për interesa te ne kryesisht politike, për shembull për propagandë të caktuar qoftë të një partie politike, të një subjekti të caktuar, të një politikani të caktuar në rrethana të zgjedhjeve apo të zhvillimeve të caktuara.
Naile Dema: Domethënë këto janë dy tema që më së shumti i ndezin ta quajmë kushtimisht, konfliktet edhe zgjedhjet?
Festim Rizanaj: Po, domethënë për shembull kohëve të fundit për postin e presidentit është dezinformuar shumë në media sociale.
Naile Dema: Çka ka pasë? Çfarë dezinformuese, temë shumë aktuale kjo?
Festim Rizanaj: Domethënë sondazhe të rreme me idenë se përkrahin presidenten aktuale domethënë Vjosa Osmani që të jetë presidente, përkrahje i ka dhënë kjo parti ose ajo parti pa kurrfarë baze. Domethënë forma të tilla, deklarata të paqena, pretendime të paqena në njëfarë forme rreth postit të presidentit, bile-bile ka pasur edhe të tillë që do të zgjidhet me patjetër Vjosa Osmani presidente prapë. Për zgjedhjet për shembull shkon më shumë në sondazhe të rreme sepse te ne është krijuar kjo përshtypje që në zgjedhje duhet me pasë shumë sondazhe në bazë të këtyre exit-poll-eve që publikohen pas mbylljes së vendvotimeve dhe kjo shfrytëzohet si një lloj karremi, plasojnë sondazhe të rreme në sidomos në TikTok qarkullojnë shumë e të tjerë. Domethënë këto janë ato format kryesisht që ndikojnë edhe që zhvillohen në aspektin kryesisht politik. Por ka edhe për shembull si po e quaj këtë lloj fushatash të caktuara. Për shembull e gjeneron një imazh të caktuar ku paraqet një familje dhe thotë që ky kryefamiljar ka sakrifikuar për familjen edhe domethënë e prek atë emocion edhe pse ata nuk ekzistojnë ata persona, komplet është e gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe kjo po njihet në njëfarë forme si engagement bait domethënë ku me krijuar një lloj ndërveprimi të faqes edhe thjesht mandej faqja me u përdorë edhe për interesa të tjerë financiare.
Naile Dema: Këto edhe monetizohen edhe sjellin shumë klikime, klikimet sjellin shumë para.
Festim Rizanaj: Po, ky monetizim domethënë është një nga domethënë ky aspekti financiar, pjesa tjetër është kryesisht politik.
Naile Dema: Kryesisht politik, me krijuar opinion?
Festim Rizanaj: Po me krijuar opinion sepse pse vendosim ne domethënë që kjo përmbajtje është ndikim domethënë në opinion publik dhe mundet me ndikuar në perceptimin publik është se ka shumë komente aty. Domethënë që ka arritur një audiencë, ka shumë domethënë share që i thonë, shpërndarje të caktuar me një interpretim të caktuar. Domethënë kur vendoset një sondazh i rremë edhe kur partia ose e përmbush atë ideologjikisht ose politikisht, ai menjëherë e bën share edhe jep komentet, thotë: “Po jo 50%, po 60 apo 70%, nuk i mjaftojnë as 50%,” e forma të tilla. Ose kur jepet ndonjë deklaratë domethënë edhe pse është e paqenë, në njëfarë forme kush është përkrahës thotë: “Okej domethënë qashtu është.” Po ka edhe raste kush është kundër pastaj vazhdon ajo gjuha e urrejtjes ndaj atij politikani. Po është e çuditshme domethënë se këto komente janë të shumta edhe këto shpërndarje në njëfarë forme ndikojnë në perceptimin e opinionit publik.
Naile Dema: Pse jemi në këtë gjendje Festim? A dihet? A është çështje e mungesës së… e kam përshtypjen që jo vetëm në Kosovë, edhe nëpër vendet e tjera nuk është që është më mirë çështja e këtij emocioni që preket për tema të ndryshme dhe reagimeve pa ndonjë verifikim të mirëfilltë. A është çështje e kulturës së përgjithshme, a është çështje e mungesës së edukimit medial, a është çështje e sofistikimit kaq të madh të narrativave, propagandës saqë ti e ke vështirë me ditë nëse është e vërtetë apo s’është, apo thjesht na e kanë shpërlarë trurin kaq shumë sa më nuk e dimë, s’kemi përgjigje a është mirë, a është keq, a është e vërtetë, a është e pavërtetë një çështje e caktuar?
Festim Rizanaj: Po ndoshta është problemi i këtij kalimi të komunikimit domethënë ku kemi pasur gazeta që kanë qenë një numër i kufizuar edhe televizione të caktuara dhe çdo publikim aty është filtruar edhe është marrë si e vërtetë absolute. Dhe kalimi në rrjete sociale që ke pasur mundësi në lloj-llojshmëri edhe web-i domethënë faqe të ndryshme, lloj-lloj informacioni që ka qarkulluar, po ideja meqenëse është publike te ne është krijuar përshtypja që çka del aty në internet është e vërtetë, është e saktë. Domethënë ky është ai po e quaj mos ta quaj deformim, po ky kalim ka ndikuar më shumë, po edhe mungesa pastaj e përcjelljes së këtij edukimi se si duhet të informohemi në internet kryesisht edhe në media sociale në përgjithësi. Domethënë një edukim i mirëfilltë se këto çka publikohen aty jo domosdoshmërisht janë të sakta sepse secili prej nesh është publikues. Figurojmë me llogari fake domethënë me imazh aty duket një person, po ai person s’ekziston se është gjeneruar imazhi me inteligjencë artificiale. Dhe nëse nuk e arrijmë edukimin e tillë medial po e quaj edhe digjital në atë formë që sot me edukuar masën që këto përmbajtje duhet me i marrë me rezervë. Edhe shpesh që i them unë domethënë, bëni një like ose follow disa mediave që dihet te ne kush janë kredibile, pjesa tjetër nuk është me rëndësi. Domethënë s’ka rëndësi nëse informacioni nuk ka qarkulluar në këto media. Domethënë ose është dezinformatë ose është i parëndësishëm domethënë nuk të prek ty, s’ke nevojë me marrë atë lajm.
Naile Dema: Okej për zhvillimet në Kosovë, po çka me zhvillimet gjeopolitike? Domethënë jo të gjithë e kanë informacionin cilat media ndërkombëtare janë të sigurta edhe janë të besueshme. Nëse Google-i po dështon me identifikuar, nëse Grok-u po dështon gjithashtu, çka me bë ne? Qysh me marrë vesh, qysh me ditë nëse jemi tu lexu një përmbajtje të vërtetë apo jo?
Festim Rizanaj: Po sigurisht edhe mediat tona këto kredibile domethënë e kanë hapësirën për lajme ndërkombëtare edhe ata i marrin informacionet nga mediat ndërkombëtare që kanë korrespondentë nga vendi i ngjarjes, që kanë informacione edhe nga burime të tjera domethënë nga struktura të caktuara. Dhe ky filtrim domethënë i informacionit edhe ndërkombëtar që vjen nëpërmjet mediave tona të mirëfillta, e lë audiencën domethënë i lë hapësirë audiencës të mirëinformohet se çka po ndodh. Por nëse audienca përzgjedh që mediat sociale me i përdorë për këto informacione, atëherë duhet me pasë shumë kujdes se ballafaqohet me keqinformata të ndryshme sepse aty nuk arrijnë me i filtruar kërkush, nëse nuk i filtron edhe vetë atëherë mbetesh pre e këtij dezinformimi që qarkullon.
Naile Dema: Përndryshe ju i monitoroni Festim edhe rrjetet sociale, le t’i quajmë se “media” nuk po më pëlqen hiq që po e përdorim për këtë farë deti pa fund në të cilin po ka mundësi secili me shpërndarë fake news ose çfarëdo lloj informacioni edhe të paqenë. Kush le ta quajmë keqpërdor më shumë në këtë aspekt? Rrjetet sociale apo mediat? Ku është situata më e keqe?
Festim Rizanaj: Rrjetet sociale absolutisht se ka shumë faqe të ndryshme që qarkullojnë. Nëse e bëjmë një dallim kështu domethënë, në media kryesisht publikohen këto keqinformata që janë më të buta po quaj, më clickbait po, nuk e tregon në titull pak se çka po ndodh ose ku ka ndodhur ngjarja me idenë që me klikuar ne brenda me e parë. Ndonjë përmbajtje e paverifikuar për shembull sikur imazhi i Khameneit që u publikua, s’e kanë verifikuar me idenë se është e vërtetë edhe pse në njëfarë forme e krijon një perceptim të gabuar po prapë mbetet mbi idenë e shpejtësisë që e kanë publikuar edhe jo ndonjë qëllimi të caktuar.
Naile Dema: Kjo është publikuar edhe prej mediave?
Festim Rizanaj: Po. Po ose gabime të caktuara kur i lëshojnë kryesisht kur ka lajme me numra, gjatë kalkulimeve mund me bë ndonjë shkarje gjatë mbledhjeve apo zbritjeve. Ndërsa në media sociale kemi të gjitha format domethënë të dezinformimit, duke filluar nga dezinformimi klasik me qëllim të caktuar, manipulimi i fakteve, përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale, video çfarëdo forme e të tjerë e të tjerë domethënë që bëhen pa kurrfarë problemi montohen, editohen, plasohen me pretendime domethënë edhe me tekst të caktuar për qëllime të caktuara të cilat veç ata në njëfarë forme i dinë edhe në bazë të përmbajtjes që ne e lexojmë e shohim se cili është qëllimi kryesor i atyre përmbajtjeve. Pra mediat sociale është problemi kryesor po fatkeqësia më e madhe është thash audienca jonë sot nëpërmjet scroll-it informohet, domethënë media sociale. Web-i ka vdekur domethënë kërkush s’hyn më **www.blahblah.com** një medium të caktuar me e këqyrë se edhe ajo i ndihmon që me u mirëinformuar. Kështu që mbeten mediat sociale ajo sfida kryesore për mirëinformim.
Naile Dema: Web-et, portalet që i përmende, faqet, krejt kanë edhe rrjetet sociale në të cilat e shpërndajnë përmbajtjen e tyre. A është ide e mirë kjo me u dhënë njerëzve që me i bë follow bile kur scrollojnë me ju dalë së paku një lajm i Telegrafit, një lajm i Kohës, një lajm i kallo.com që po i përmend disa prej mediave në të cilat besoj që nuk kalojnë kaq lehtë dezinformata ose çrregullime të ndryshme të informacionit. Ndoshta me i pasë ato follow në rrjete sociale edhe bile kur scrollojnë u dalin së paku ato.
Festim Rizanaj: E vetmja zgjidhje nëse nuk bën verifikim vetë mbetet kjo domethënë që këto media që i përmende domethënë me i pasë follow edhe like në media sociale është zgjidhja kryesore se thash nëse nuk ka qarkulluar informacioni në këto media, ai informacion është dezinformatë ose manipulim edhe nuk është i rëndësishëm për audiencën. Prandaj kudo që ta gjeni në faqe të tjera pa marrë parasysh a kanë kështu prapashtesat “.media” “.info” e të tjerë, nuk mundesh me e marrë për bazë sepse ata nuk kanë gazetarë, nuk kanë redaktorë, nuk e filtrojnë informacionin para se me e publikuar. Prandaj u mbetet audiencës që vetëm këto media t’u bëjnë like, t’u bëjnë follow në media sociale që rregullisht përmbajtjet e tyre t’u dalin përpara edhe të mos lënë hapësirë që përmbajtje të caktuara nga faqet e tjera të interferojnë sepse unë po e shoh në X kur i shikoj këto për zhvillimet në Lindjen e Mesme, shpesh këto videot e vjetra ose të manipuluara për shkak të mbingarkesës edhe ripublikimit emocional që u bëhet me to, zënë hapësirë edhe nuk lënë me u mirëinformuar sepse këtu po ndikon edhe algoritmi pak se nëse e klikon një herë pastaj po vazhdon mbi atë rrjedhë mandej me atë përmbajtje.
Naile Dema: Qysh me rregulluar algoritmin?
Festim Rizanaj: Algoritmi u mbetet atyre që janë domethënë pronarët e mediave sociale, ata e përcaktojnë se si algoritmi punon, po për shembull për me e “edukuar” algoritmin, nëse u bëni like këtyre faqeve dhe nëse klikoni në këto informacione, atëherë algoritmi ju jep atë rrjedhë të informacionit.
Naile Dema: Është edhe ajo “not interested” ndoshta kur ka një përmbajtje që ty nuk të pëlqen e klikon edhe nuk të shfaqet më.
Festim Rizanaj: Po, ka edhe kështu formash domethënë që ose e raporton për shkaqe të ndryshme edhe e eliminon në njëfarë forme. Po thash ky edukimi i algoritmit më shumë ju ndihmon gjatë klikimeve të mediave Koha, Telegrafi e të tjerë, mandej gjithmonë këto ju dalin përpara edhe informacioni që publikohet aty është më i besueshëm.
Naile Dema: Përndryshe nëse flasim për ndikimin, propagandën, sa herë flasim për propagandën në fakt na del para fytyrës Rusia si vend që është shumë, e ka shumë të zhvilluar, të sofistikuar, e ka pasë… nuk e ka veç tash, po tash e ka lehtësuar AI edhe më shumë. Qysh ndikon Festim? A ka shumë propagandë të përmbajtjeve ruse që vijnë në Kosovë? A filtrohet? A ka mekanizma që e mbikëqyrin?
Festim Rizanaj: Po këtu është një lloj dileme, po e quaj dilemë në atë kuptim që në media kur plasohen zakonisht deklaratat e zyrtarëve rusë për shembull në Kosovë edhe plasohen ashtu blanko domethënë veç “tha filan-fisteku” edhe u kry. Edhe pse sugjerohet gjithmonë nga studiuesit që këto të mos plasohen në formë të tillë po të kontekstualizohen domethënë pse po e thotë këtë edhe në çfarë konteksti po e thotë në mënyrë që audienca me pasë një lloj background-i të kësaj përmbajtjeje sepse për me i plasuar duhet me i plasuar me e ditë se çka po thuhet po t’i jepet një kontekst që të sqarohet ose të ketë një kuptim më të mirë kjo përmbajtje. Përndryshe Rusia shfrytëzon disa forma domethënë që synon me depërtuar. I ka target, target i ka disa shtete, kryesisht rreth kufirit të vet edhe në Ballkan është Serbia targeti kryesor për me ndikuar, po njëkohësisht me këtë strukturën e rrjetit “Pravda” propagandistik që e kanë krijuar, që është e bazuar komplet në AI, domethënë ka filluar edhe përmbajtjen në gjuhën shqipe domethënë në domenin e “Pravda” në shqip me publikuar informacione që ndërlidhen me Rusinë, me zhvillimet gjeopolitike, që këto përmbajtje edhe këto narrativa ruse me zënë hapësirë edhe në shqip. Edhe kjo është problematike edhe pse volumi i tyre është më i vogël, më i pakët, po nëse sot bëjmë një kërkim për luftën në Ukrainë që informacionet në mediat tona kanë filluar me u reduktuar tej mase për shkak të rrethanave të caktuara edhe nuk e gjen ti në Google për shembull në mediat shqipe, atëherë i referohet “Pravda” që është në shqip domethënë këtij rrjeti propagandistik, dhe ky është qëllimi i kësaj strukture, kësaj platforme: kjo me ndikuar sferën digjitale po edhe njëkohësisht këto large language models që i thonë, chat-bot-at e ndryshëm që edhe gjatë kërkimeve aty me interferuar ndonjë link i këtyre përmbajtjeve të rrjetit “Pravda”.
Naile Dema: Qysh mundet me u dukë një propagandë ruse e cila e ka target Ballkanin, me në qendër Serbinë që e shpërndan mandej? Qysh duket? Qysh me dyshu ne ose me ditë që një informacion… informacion jo, po një tentim për informim që në fakt mbështillet si informacion po brenda ka propagandë. Qysh me ditë ne që po vjen prej Rusisë?
Festim Rizanaj: Po ndërtimi i këtyre narrativave është i strukturuar në formë të tillë: qendra kryesore është Kosova domethënë ata ndërtojnë narrativat mbi Kosovën domethënë si e paraqesin si precedent, si shtet jodemokratik, domethënë “shtet” në thonjëza jodemokratik, si një lloj kanceri i Ballkanit, si një lloj problemi kryesor. Njëkohësisht edhe Bosnjën e shfrytëzojnë domethënë për shkak të rrethanave politike që janë aty edhe Republika Serbe domethënë edhe Bosnjën e përdorin për këto narrativa të caktuara që me ndikuar. Njëkohësisht është edhe elementi fetar që ndikohet domethënë Ortodoksia për Malin e Zi, domethënë edhe atje nxiten narrativat të caktuara për mobilizim të një strukture të caktuar kryesisht të serbëve ortodoksë, po edhe në Maqedoninë e Veriut sepse edhe aty është sentimenti fetar në dispozicion domethënë për përplasje ndëretnike me shqiptarët dhe narrativat e caktuara. Unë po besoj në bazë të hulumtimeve që Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia edhe Bosnja janë më të ndjeshme në këtë aspekt në ndikimin e këtyre narrativave, se Kosova çka do që vjen prej Rusisë apo prej Serbisë apo prej Kinës e forma të tilla, i merr me rezervë në njëfarë forme edhe nuk i merr si bazë ato narracione. Po këto narrativa munden me depërtuar në bazë të rrethanave të caktuara, për shembull mundet dikush në diskurs publik me përdorë prej shqiptarëve duke mos e ditur domethënë se ajo narrativë është problematike, se këto janë disa nuanca të vogla. Për shembull ne e quajmë agresionin në Ukrainë, ata thonë “intervenim për të ruajtur komunitetin rus atje”, për shembull, edhe këto dallojnë këto narrativa. Edhe për me i vërejtë këto duhet një lloj konteksti më i gjerë i audiencës, që nuk është e lehtë, po nuk është e lehtë.
Naile Dema: A ka tentim për me hy, le të themi kushtimisht, propaganda ruse në Kosovë? A ka, a shihet ndonjë farë tentimi në media, qoftë media tradicionale, qoftë media rrjete sociale?
Festim Rizanaj: Në mediat tradicionale kjo mundet me ndodh thash për shkak të pakujdesisë edhe plasimit të informacioneve të caktuara se duhet me raportuar, po ajo forma e raportimit, kjo metoda Copy-Paste pak për ne po është problematike në media sepse nuk po e lexon se çka po thuhet po e bart direkt në mediumin e vet edhe pse aty po ka elemente narrative që nuk janë të përshtatshme domethënë dhe nuk janë të sakta. Pjesa tjetër është për shembull krijimi i faqeve të ndryshme për shembull në media sociale të cilat mundet me plasu informacion, domethënë me narrativa të caktuara dhe me i targetuar një audiencë të caktuar. Po nuk është vërejtur një shumësi e këtyre ndoshta në raste shumë të rralla që kanë qarkulluar edhe në gjuhën shqipe, përveç rastit të domenit “Pravda” që publikon rregullisht përmbajtje në shqip.
Naile Dema: A është e klikueshme kjo platformë?
Festim Rizanaj: Po është e klikueshme domethënë edhe ka informata aty që publikohen ku edhe pse e ka target domethënë Shqipërinë, se Kosovën s’e llogarit si shtet domethënë se ato janë domenet e krijuara mbi bazat e shteteve, ka edhe informacione kryesisht për Kosovën, për zhvillimet në veri, po edhe ato gjeopolitike që ju intereson Rusisë narrativat e veta me i plasu për zhvillimet në Iran, për zhvillimet në Moldavi, zgjedhjet që kishin e të tjerë e të tjerë.
Naile Dema: Shumë e rëndësishme kjo me ditë njerëzit me pasë informacion për këtë “Pravda” që…
Festim Rizanaj: “Pravda” mandej… “Pravda” e ka emrin “Pravda”, domethënë “Pravda” rrjedh prej rusishtes domethënë që e kanë pasur ata një agjenci të lajmeve, domethënë një medium të madh “Pravda”, po ata e kanë përdorur tash si emër me idenë që kjo “Pravda” e paraqet të saktën, të vërtetën. Kryesisht me inteligjencë artificiale publikohen këto informata të cilat skenohen nga agjencitë e mediave ruse: “Ria Novosti”, “TASS”, disa kanale në Telegram për shembull që janë edhe kanalet e njohura serbe domethënë prej serbëve që janë këtu “BUNT jesan je duha”, “Bunker”, “Koridor”, edhe pastaj ata automatikisht me “Yandex” se “Yandex” është platformë e rusëve, përkthehen në gjuhë të caktuara edhe shqip edhe plasohen në domenin që është albania.news-pravda.com domethënë që është në shqip domethënë ajo përmbajtje plasohet aty.
Naile Dema: Qysh po i verifikoni? Si platformë e kam fjalën, qysh i verifikoni? Qysh po mbrrini, sa po mbrrini me i monitoruar gjithë këto përmbajtje që çdo ditë shtohen?
Festim Rizanaj: Po i monitorojmë domethënë mediat tona në gjuhën shqipe, faqet e ndryshme në media sociale që i identifikojmë gjatë punës tonë me idenë që po dezinformojnë. Edhe pasi dyshojmë në disa përmbajtje të caktuara, për shembull del një deklaratë e tillë “a e ka thënë, a s’e ka thënë?”, e kërkojmë, s’e gjejmë, themi një deklaratë e tillë nuk ekziston, domethënë është dezinformatë ose një pretendim i caktuar. Mediat sociale i monitorojmë në formë të tillë duke e përcjellur këtë zinxhirin e dezinformatave që qarkullojnë, sepse një faqe e caktuar bëhet share me dhjetëra herë, me qindra herë edhe në ato shpërndarje domethënë e gjejmë edhe atë rrjetin se ku po qarkullon kjo dezinformatë. Dhe këto i trajtojmë për arsye se kanë shumë viralitet edhe kanë shumë shpërndarje, kanë shumë komente. Njëkohësisht bëjmë edhe monitorimin e mediave në gjuhën serbe, po e quaj në gjuhën serbe në atë kuptim që veprojnë në Kosovë po edhe në Serbi me informacione që ndërlidhen me Kosovën. Po edhe disa kanale në Telegram që bëjnë propagandë të caktuar në gjuhën serbe dhe format e tjera që qarkullojnë trendet e tjera domethënë të dezinformimit si “Pravda”, është “Matrioshka”, janë edhe disa të tjera domethënë operacione që njihen si “Doppelganger”. Edhe ato mundohemi me i monitoruar se sa po depërtojnë në Ballkanin Perëndimor edhe a është target domethënë audienca shqipfolëse se ne nuk po arrijmë me bë ndarje në sferën digjitale se po ke faqe për shembull që plasin në shqip po nuk po e dimë a është e krijuar në Kosovë, a në Shqipëri, a në Maqedoni. Nëse klikojmë ose e shikojmë about për faqen domethënë në atë kuptim ku jepen informacione, ka raste kur identifikohet që është e krijuar në këtë lokacion po në përgjithësi këto informata mungojnë në media sociale.
Naile Dema: A ka njerëz që kërkojnë prej jush me ditë nëse një informatë, qoftë ju shkruajnë, ju kontaktojnë, me pyet a është e vërtetë kjo informatë?
Festim Rizanaj: Po, ka fatmirësisht ka, domethënë kur e shohin një përmbajtje të caktuar nëpërmjet Facebook-ut apo platformave të tjera, na dërgojnë domethënë përmbajtjen me thënë që “a është e vërtetë kjo apo jo?”. Po edhe në web-faqe e kemi atë hapësirën “Raporto”, domethënë ku munden me raportuar për disa përmbajtje të caktuara. Kjo na ndihmon edhe ne sepse ne kemi nevojë për bashkëpunim me audiencën që, sepse kjo sferë digjitale po është shumë e gjerë edhe kur audienca po shpreh interes që me ditë që kjo përmbajtje a është e vërtetë apo jo, në njëfarë forme po vetëedukohet edhe me këtë shprehi, me këtë shkathtësi edhe neve po na jep mundësi që pjesën tjetër me informuar që kjo përmbajtje, nëse ju ka dalë përpara, ta keni parasysh se s’është e vërtetë.
Naile Dema: Lajm shumë mirë ky që njerëzit vetë po kërkojnë me ditë nëse një përmbajtje është apo nuk është e vërtetë. Festim, i kemi tejkaluar minutat. Temë shumë interesante, me interes të madh gjithashtu për opinionin publik. Të falënderoj shumë që ishe në studio sot.
Festim Rizanaj: Faleminderit juve për ftesën!
Naile Dema: Faleminderit! Mirupafshim në episodin e radhës!
메타데이터
- post_id
- 1d4b895df7a6
- slug
- the-geotalks-propaganda-dhe-fuqia-e-dezinformimit-me-festim-rizanaj-1d4b895df7a6
- url
- https://medium.com/@festimrizanaj/the-geotalks-propaganda-dhe-fuqia-e-dezinformimit-me-festim-rizanaj-1d4b895df7a6
- canonical_url
- https://medium.com/@festimrizanaj/the-geotalks-propaganda-dhe-fuqia-e-dezinformimit-me-festim-rizanaj-1d4b895df7a6
- author_url
- https://medium.com/@festimrizanaj
- status
- ok
- fetched_at
- 2026-07-29 11:15:25