Si vdiq poeti më i madh i Amerikës Latine?
Pablo Neruda është poeti më i madh i Amerikës Latine i shekullit të 20-të. Poezitë e tij të dashurisë janë himne të përhershme. Një pjesë e…
Si vdiq poeti më i madh i Amerikës Latine? Një gjykatë në Kil pritet të sqarojë nëse Pablo Neruda u helmua para 50 viteve…

Pablo Neruda.
Pablo Neruda është poeti më i madh i Amerikës Latine i shekullit të 20-të. Poezitë e tij të dashurisë janë himne të përhershme. Një pjesë e madhe e veprës poetikte të Nerudës është përkthyer edhe në shqip. Vetë Neruda i ka kushtuar Shqipërisë një poezi (mund ta lexoni në fund të këtij postimi).
Sipas të dhënave zyrtare, Neruda vdiq më 23 shtator 1973 nga kanceri në prostatë. 12 ditë më parë gjenerali Augusto Pinochet rrëzoi nga pushteti presidentin socialist Salvador Allende, i cili ishte mik i Nerudës. Neruda ishte komunist.
Mbi 50 vite pas vdekjes, një gjykatë në Kil ka urdhëruar rifillimin e hetimeve lidhur me vdekjen e Nerudës. Historia e vdekjes së Nerudës ka disa kapituj dramatikë. Më 2011 shoferi dhe asistenti i Nerudës tha se poetit i kishte injektuar diçka në gjoks para se të vdiste. Më 2013 kufoma e Nerudës u zhvarros, por mjekët nuk gjetën gjurmë helmi në eshtrat e tij. Familja kërkoi hetime të mëtejme. Më 2015 qeveria e Kilit njoftoi se për vdekjen e Nerudës ishte fjatore “një palë e tretë”. Më 2017 autoritetet njoftuan se kishin zbuluar një bakter në skeletin e Nerudës. Po atë vit një grup ekspertësh ndërkombëtarë dhe kilianë arritën në përfundim se Neruda nuk ka vdekur nga kanceri, por deri më sot asnjë ekspert nuk e ka zbuluar shkakun e vdekjes. Tani do të fillojë një hetim i ri. Ndoshta i fundit…
Në vijim poezia e Nerudës kushtuar Shqipërisë (përkthyer nga Moikom Zeqo)
Shqipërisë
S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri, në tokën e ashpër, plot dashuri, peisazheve bjeshkatare me barinj trima. S’kam qenë, po ja që sot kam shpresë të vij ashtu si festat apo dasmat popullore, për të pare i etur diellin e madh që praron fuqishëm muskujt viganë të vargmaleve të saj epikë! Si zambaku i ri dhe i freskët që shpërthen mes shkrepave shpërthen nga gjiri i saj kultura, arti, librat, ndërsa përpara bujkut e punëtorit ngrihet nderimi i epokës, përmendorja e dashurisë e virtuti lulëzon viset e lashta! O Shqipëri e vogël, por sa e fortë! E vendosur e patundur e fjalëmbël. Tingulli i kitarës tënde është i gjallë e i çeliktë e vjen e i shtohet me dinjitet melodive të historisë, këngës së epokës që s’ka të heshtur! Është një zë malesh, ndërtimesh të pafundme e të bardha, kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve plot lule të porsaçelura e erërave e valëve të detit. Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri janë dhurata që po i sjell vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë.
메타데이터
- post_id
- 4a5ecbb4f60f
- slug
- si-vdiq-poeti-më-i-madh-i-amerikës-latine-4a5ecbb4f60f
- url
- https://medium.com/@enver.robelli/si-vdiq-poeti-m%C3%AB-i-madh-i-amerik%C3%ABs-latine-4a5ecbb4f60f
- canonical_url
- https://medium.com/@enver.robelli/si-vdiq-poeti-m%C3%AB-i-madh-i-amerik%C3%ABs-latine-4a5ecbb4f60f
- author_url
- https://medium.com/@enver.robelli
- status
- ok
- fetched_at
- 2026-07-24 09:03:45