← Back to list

Profeti i Kiametit

Ditari personal: Zein B. — 08.10.2045.

Elvin Blakaj · 2022-09-21 07:29 · 0 claps · 12.6 min read
#stories #albanian #science-fiction #inteligjencë-artificiale #doomsday
Open on Medium ↗
Wiki topics: 🔬 · Science · General ✍️ · Writing & Creative

Profeti i Kiametit

Ditari personal: Zein B. — 08.10.2045.

Thonë që hyrjet e rëndësishme të ditarit që shpreson të mbijetojnë momentit gjithmonë fillojnë me një pyetje. E vetmja e tillë që e kam në mendje do ishte se: “Pse erdhëm në këtë pikë ku jemi tani?”. Një pyetje që po i shtroj vetës nga momenti i parë që dëgjova emrin SONIA dhe që besoj që do e kam në mendje deri në momentin e fundit të jetës sime — bile atë e di si fakt!

Çdo tregim e ka një fillim dhe fillimi për këtë që po e shkruaj tani starton me mu dhe faktin që nga sa e njoh vetën dëshiroja të punoja me teknologjinë e avancuar edhe pse isha i varfër dhe nuk kisha as qasjen më të vogël në të. Me shumë punë; më tepër mund dhe fat të pabesueshëm u gjenda pranë punës perfekte që e dëshiroja nga fillimi. U futa në punë si inxhinier programues në SIAN-B, kompaninë e parë të inteligjencës artificiale në këtë anë të botës. Nën udhëheqjen e gjeniut Kahn Rutter, SIAN-B u bë kompania që të gjithë e shikonin afër për një gjë dhe ajo është programi i inteligjencës gjenerale artificiale të cilën Rutter e avanconte me shpejtësi të pabesueshme.

Ndihesha krenar çdo moment të ditës në këtë ambient fenomenal dhe puna shkonte ngadalë por në drejtim të duhur, bile ashtu potenconte Rutter dhe të gjithë ne brenda ekipit të tij punonim me zellin religjioz për të jetësuar planet e tij të pabesueshme në këtë fushë. Për vite publikonim punime të reja; planifikonim konferenca globale; krijonim avancime në fushën tonë por gjithçka dukej normale — brenda asaj çka një inxhinier teknik mund të quaj normale. E tërë ajo ndryshon kur brenda një dite sikurse të gjithë të tjerat, Rutter na thërret në zyrën e tij dhe na prezanton me finalen e planit madhorë që e ndjekte në sekret që 25 vite! Rutter na prezantoi të gjithve me SONIA-n. Inteligjencën e pare gjenerale artificiale që kishte kapacitet të palimituar; që mund të kuptonte pyetje dhe të krijonte përgjigjeje perfekte secilën herë; që më nuk ishte e limituar nga kuptimi njerëzorë i informacionit, por që kishte kaluar në dijë dhe kuptim omnisciente; një inteligjencë që në kohë do e revolucionarizonte mënyrën si e shohim botën. Por Rutter, një besimtar enorm i të mirës që një inteligjencë e tillë mund ti sillte njerëzimit — nëse shfrytëzohet drejt — ishte po ashtu edhe njeriu që më së miri e kuptonte nivelin e problemeve apokaliptike që një inteligjencë artificiale mund të krijojë nëse lirohet botës pa ndalesa, prezantoi SONIA me një term — PROFET. Rutter e programoi SONIA që të mund të bëjë një dhe të vetmen gjë, të përgjigjet pyetjeve që njerëzimi do i bënte. SONIA nuk mund të shtonte më shumë as më pak se sa që i kërkohet dhe me të do të limitohet në veprimet e veta. SONIA, me fjalë tjera ishte një profet i modeluar nga ato të Delfit, një fakt që nuk na iku nga momenti i parë që u prezantuam me të pasi Rutter i adhuronte kulturën e Greqisë antike dhe nuk ndalej se thënë atë kurdo që kishte mundësi. Unë personalisht nuk i besoja asnjë fjale që fliste shefi ynë në ato momente por Rutter si në anticipim të atij mosbesimi, pyet SONIA se kush është në dhomë me të? Dhe përgjigjja na befasoi të gjithë! SONIA nuk kthen thjeshte numrin e njerëzve në dhomë. Jo! Profeti kthen ama bash çdo informacion relevant për secilin prej neve, disa gjëra që kishim harru në fakt edhe na vet. SONIA kishte informacion se si, në klasë të gjashtë kisha dëmtu krahun në një aksident me biçikletën e vëllait tim! Po si? Askund nuk figuronte emri im në ato raporte — mendoja në veti. Si arriti në konkluzën e saj SONIA? Nuk kishte kuptim aspak si u gjeta pranë një informacioni që vet e kisha harruar që ekzistonte por deri sa ajo ishte e frikshme, Rutter pas saj bën një lëvizje që askush, ama bash askush në botë nuk do mund ta parashikonte. Rutter pyet SONIA-n se kush — dhe në çfarë rezultati — do të fitonte ndeshjen e radhës në finalen e basketbollit Amerikan që luhej në atë moment — mes Warriorsave të Uashingtonit dhe Heatsave të Majamit. Loja ishte ka zhvillohet në fund të vazhdimit të tretë dhe Heat ishte në epërsi prej 12 pikëve. SONIA “mendon” për disa minuta (dukej si minuta por nuk ishin) dhe kthen vetëm — 102–100. Ajo mendonte që Warriors do e kthejnë lojën? Le bre, mendova me veti dhe ja nisa me buzëqeshë me hajgarën që besoja që Rutter na bënte por ajo buzëqeshje mu kthye në habi kur pas 15 minutave rezultati final ishte: 102 Warriors dhe 100 Heats! Mbeta pa fjalë dhe deri sa të gjithë duartrokitnim në pabesim të asaj cka dëgjuam por ende me pak skepticizëm në kutat e pasme të mendjeve tona, Rutter vazhdonte të bënte pyetje pas pyetjes; më të rënda dhe më të rënda deri sa të gjithë ne u kthyem në besimtarë. Rutter kishte kriju një Profet dhe ajo e kishte emrin SONIA!

Rutter prezantoi SONIA-n para botës me 13 Gusht të vitit 2042 dhe brenda vetëm një muaji bota kaloi nga mosbesimi; në frikë nga e panjohura dhe kritikë të asaj çka SONIA mund të bënte dhe në fund në pranimin e faktit që SONIA është ajo çka Rutter e prezantoi të ishte! Një Profet omniscient; një kazmë e pafundme e informacionit që din absolutisht gjithçka; që mund të kuptojë gjithçka dhe më e rëndësishmja, që mund të shpjegojë si dhe ti përgjigjet çdo pyetje që njerëzimi mund ti jepte. Pa kontestim; pa kompensim dhe pa detyrim shtesë, profeti jep përgjigjeje në pyetjet tona, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Në vitin e parë të ekzistencës së SONIA-s Rutter ndaloi qasjen e publikut dhe vendosi tu përgjigjte pyetjeve të mëdha që na interesonin si specia që nga koha kur shikonim yjet nëpër shpellat e Afrikës. Kuptuam që nuk jemi vet në univers — SONIA identifikoi planetin që dërgonte radiovale brenda 30 sekondave të shikimit të të dhënave astronomike; kuptuam zgjidhjen e problemeve sociale, ekonomike, politike dhe jetësore — edhe pse nuk është që i përdorim ende ato në çdo elemente të vetin; mësuam për ilaçet efektive kundër sëmundjeve që nuk i njihnim mirë por edhe ato që na sulmonin qe sa; kuptuam shumë e shumë gjëra që profeti na shpjegonte dhe me to, Rutter fiton nobelin në çdo fushë — literlisht — në vitin 2043 dhe aty krejt kthehet për të keq!

Në fjalimin e tij të fitores (një nga ato), Rutter vendos që ta hap SONIA për pyetjet e publikut dhe që brenda vitit do të zgjedhën 100 persona që do tu lejohet ta pyesin profetin çka do që do dëshironin. Më fjalë tjera do të kishin qasje të palimituar në dijen universale të profetit, të cilën tani më e gjithë bota e kërkonte pas asaj çka përjetuan në vitin paraprak. Ngjarja u bë e madhe dhe i gjithë stafi i laboratorit të tij — tani me instituti më i madh dhe me mirë i financuar në botë — duhej të punonte jashtë orarit për të bërë këtë marifet të tij të funksionojë. Por ne Nëntor të 2044, personat e zgjedhur nga Rutter (drejt për drejt) u rreshtuan në vije, një nga një pranë laboratorit sikurse të kishin tiketën e artë të Wonka-s — që ndoshta edhe kishin kur te mendoj me mirë. Rreshti shtrihej për 1 kilometër ndoshta pak më shumë dhe aty kishte ama bash çdo lloj i njeriut — dukej sikurse ato reklamat e vjetra të benetonit (nëse dikujna i kujtohen ato).

Në ora 10:00 të një mëngjesi tejet të nxehtë për Nëntorin normal, personi i parë futet në sallë ku gjendet SONIA dhe në sekuence prej 1 personi për 10 minuta kohë, futeshin një nga një ata që kërkonin dije. Pyetje kishte të çdo lloji; nga ato për para; për dashuri; për jetë më të gjatë; për paqe globale, pak a shumë secili person aty kishte diçka bazike që dëshironte të dinte për vetën e tij; botën rreth tij — apo për të mirat e tij materiale që SONIA do mund ti siguronte. Ashtu në parakalimin e hordës së njerëzve shkonte ora dhe pasi e gjithë kjo transmetohej në rrjetet sociale dhe televizive, na si punëtore nuk kishim shumë çka të bënim pos të shikonim televizionin — unë youtube për veti — dhe të përcjellim çka po ndodh dhe a ka ndonjë problem që mund të intervenohej — zakonisht shtyrje e njerëzve mes veti apo diçka të tillë.

Në ora 21:40 — e mbaj mend sikurse të ishte dje — futet në dhomën e bardhë të laboratorit një vajzë e vogël — Lyra — e cila e mbaj mend mendoja që ishte me e vjetër se sa dukej, ishte diçka në sytë e saj që indikonte moshë edhe pse ishte vetëm 9 vjeç. Lyra Murtezaj, me buzëqeshjen e saj të imët afrohet afër SONIA-s dhe pret instruksionet. Për 1–2 minutë as ajo as profeti nuk thanë asgjë deri sa një teknik i laboratorit, në mirësinë e tij i afrohet Lyrës dhe i thotë që ka vetëm edhe 8 minuta për të bërë pyetjen e vet si dhe për të marr çfarëdo përgjigjeje që SONIA ka për ti afruar. Lyra buzëqeshë lehtë, kthehet një hap prapa — për ta parë ekranin e madh që ishte shtëpia vizuale e SONIA në atë ditë — dhe pyet: “KUR DO TË VDESIM TË GJITHË?”. I gjithë stafi mbetëm të shtangur nga pyetja dhe para se të reagonte ndokush në çfarëdo mënyrë, SONIA përgjigjet dhe starton fillimin e fundit për të gjithë ne. SONIA thotë vetëm:

TETË, TETOR, 2045.

Minutat e parë pas asaj çka u tha nga Profeti më janë djegur në mendje në ama bash çdo detaj që mund të mbahet mend. E mbaj mend fokusin tim në ekranin e kompjuterit që e shikoja dhe fytyrat e palëvizshme të shokëve të mi që nuk dinin çka të bënin; ishin të shtangur, të humbur në momentin që po ndodhte. Mbaj mend Rutterin duke bërtit që të lëvizet vogëlushja nga aty, që të ndalet programi, që të hiqen njerëzit nga rendi, që të … që të … që të … por askush nuk dëgjonte asgjë nga ato çka shefi ynë bërtiste, na të gjithë ishim të humbur në momentin dhe faktin e asaj çka SONIA tha. Pas atyre minutave, vendosëm gjithçka nën kontroll; vogëlushja u rikthye tek prindërit e saj të shtangur që prisnin jashtë; kamerat u ndalën dhe transmisioni u ndërpre si dhe të gjithë ne brenda laboratorit gjetën një moment për tu kthyer realitetit që kishim para nesh — pyetja ishte çka të bëhet tani? Në ditët e radhës kishim ”vizitorë” nga ama bash çdo organizatë kombëtare dhe ndërkombëtare me 3 shkronja (disa edhe me më shumë), të cilat kërkonin shpjegim në atë çka tha profeti por përgjigjeje më nuk kishim. Rutteri, unë, kolegët tonë dhe të gjithë të tjerët nga organet prezente ato ditë në sekuence pyetnim SONIA për shpjegim më të thellë të asaj çka kishte thënë por gjithmonë, në cfardo pyetje që parashtronim — e besomëni në fjalë, kemi provuar infinit versione të çdo permutacioni të pyetjeve — përgjigjja ishte gjithmonë e njëjte si ne fillim. Përgjigjja gjithmonë ishte: TETË, TETOR, 2045. Aq! Asnjë fjalë më shumë nuk thoshte SONIA, vetëm përseriste ato 3 fjalë sikurse të ishin mantra të jetës së saj. Në anën tjetër fakti që e gjithë kjo ndodhi në shikim të botës prodhonte lajme pas lajmit dhe panik në tërë globin, panik i cili dalë-ngadalë ndikonte ne presionin që Rutteri kishte mbi veti. Ai presion mbërriti kulmin dhe gjeniu i cili ishte “gëzim i tëre njerëzimit” — siç e prezantuan në Stokholm para vetëm një viti — vari vetën në zyrën e tij personale në natën e krishtlindjeve, ashtu duke lënë pas askënd që do mund të analizonte SONIA-n për të cilën ai dha jetën e vet dhe në fund e murr atë në vetmi të plotë.

Pa Rutterin, laboratori nuk kishte kokën që të funksiononte më dhe askush nga ne brenda tij nuk kishim kapacitetin të zëvendësonim gjeniun, le më të shpjegonim atë çka ndodhte nëpër botë të gjerë. E ceka që parashikimi i SONIA-s kishte sjell panik enorm tek popullata që tani më kishte dijeni për fuqinë parashikuese te profetit dhe para se të përfundonte viti 2044, problemet e para serioze filluam të shfaqeshin në këndet e errëta të botës. Grupet — lirë të organizuara — që quanin vetën “Profetikët” filluan në fillim të organizoheshin nëpër dark-net dhe pastaj të organizonin sulme terroriste, e gjitha kjo nën petkun e — mbrojtjes së saktësisë së profetit. Brenda disa muajsh ai organizim gjithmonë e në rritje ishte përgjegjës për 8 sulme terroriste nëpër botë, si dhe kishte shkaktuar mbi 1000 vdekje të konfirmuar gjithmonë duke pas për qëllim maksimizimin e impaktit të sulmit. Në anën tjetër protestat për të shkatërruar SONIA-n shpërthyen nëpër gjithë botën. Në një pjesë të botës ajo konsiderohej si profet final; si antikrisht në pjesë tjera; si demon në disa por edhe si anti-natyre në tjerë. E gjithë bota dukej se ishte ngrit në këmbë nga frika se mos ajo çka tha profeti është e saktë. Në muajt e parë të vitit 2045 ato protesta u radikalizuan dhe praktikisht gjysma e botës kishte probleme me dhunë ditore, gjithmonë në ngritje. Pakistani ishte primarisht problematik pasi një klerik — i njohur si Mustafa — kishte mbledhur qindra mijëra njerëz nga rrethinat e Islamabadit dhe zhvillonte luftë me qeverinë Pakistaneze. Probleme të ngjashëm shihnim në ama bash çdo cep të botës, ku dhuna ditore fillonte të dukej si një normë e re nga e cila njerëzimi nuk do dilte lehtë.

Si tentativë të reagonin ndaj kësaj, Këshilli i Sigurimit pranë OKB-s në rezolutën e 15 Maj 2045 vendosi që të kërkonte ndërpriten e punës për SONIA-n por për shkak se 2 shtete anëtarë me të drejtë të vetos — Rusia dhe Kina — kundërshtuan atë në bazë se nuk i besonin perëndimit ta ndalte profetin, rezoluta u bllokua dhe nuk mund të kalonte, gjë që bëri situatën globale edhe me të errët. Mosbesimi i shteteve ndaj veti ngritej dita-ditës me presionin që shtetet e ndryshme kishin nga popullatat e veta për të gjetur një zgjidhje këtij problemi. Në fund të marsit ndërpritet komunikimi mes superfuqive globale pasi asnjë palë nuk i besonte tjetrës më të kujdesej për botën në të cilën gjendeshim që të gjithë. Shtete perëndimorë më Amerikën në kokë provuan të ndalonin protestat e vendeve të veta në mënyrën demokratike, duke shpresuar që ato do ndaleshin sapo të kalonte stuhia mediale që ndihej gjithmonë e më shumë. Vendet e lindjes iniciuan një pogrom enorm të disidencës dhe tentuan që me dhunë (dhe represion të medias vet) të ndalonin protestat që tani më ishin të dhunshme në ama bash çdo vend të botës.

Asnjë nga këto masa nuk kishin sukses! Në perëndim protestat e dhunshme kundër — dhe për — SONIA-n u shpeshtuan por edhe u radikalizuan tutje, duke shkatërruar ekonominë dhe kriju ciklin e dhunës në tërë rajonin ashtu duke detyru shtetet të vepronin me më shumë, e më shumë dhunë për të ndalur hovin e problemeve — tani më të shumëfishta. Por ajo taktikë, e provuar në lindje nuk rezultoi me më shumë sukses dhe shteti i parë që ra ndaj protestave ishte — e pritshme kjo — Pakistani, ku Mustafa dhe grupi i tij — tani më i emëruar, Finalistët — kishte pushtuar pallatin presidencial dhe kishte vendosur atë si “Kalif” i ri i shtetit islamik të Pakistanit. Hapi i parë i Kalifit ishte të shpallte luftë globale kundrejt të gjithë atyre që mbështesnin atë çka nuk duhet ekzistuar — që ishte termi i Mustafa-s për SONIA-n. Hapi i dytë ishte që me 28 Shtator të lansonte të gjitha raketat nukleare që kishte Pakistani në funksion — e që ishin 133 sosh — në drejtimin e shteteve armike që për të ishin praktikisht të gjitha por posaçërisht India, drejt të cilës dërgoi jo më pak se 75 raketa të kapaciteteve të ndryshme dhe me rezonim enorm nuklearë, që — besomni në atë çka po ju tregoj tani — filloi pjesën e “keqe” të vitit. India kundërpërgjigjet brenda minutave dhe kthen të gjithë arsenalin e vet prej 108 armëve nukleare në drejtim të Islamabadit dhe e gjithë kjo ndodhej në kohën e internetit. Të gjithë në, e gjithë bota, shikonte këtë — LIVE! Shkatërrimi ishte i paprecedent, në orët e para të konfliktit final — që e quante luftën e tij Kalifi -, vdekjet shkuan në mbi 100 milion persona — askush nuk e din ende numrin e saktë, aq i shpejt dhe i furishëm ishte dëmi i këtij “konflikti”. Askush nga ne, në panikën që e ndienim tani më në eshtrat tona nuk dëshironim më të dinim çka vjen nesër, pasi në asnjë mënyrë e nesërmja nuk mund të ishte më e mirë — thjeshtë gjithçka dhe gjithkush shkuan të marrë brenda më pak se 10 muaj nga parashikimi i profetit.

Nuk besoj që duhet të ju jap informata shtesë për ngjarjet që pasuan pasi të gjithë në i dimë tani më. Konflikti nukleare në sub-kontinentin Indian dha shtysën finale botës të kapërcejë në pikën pa kthesë dhe lufta universale — nuk është më botërore — filloi me 30 Shtator, pa anë të ndara mirë; pa komunikim të qartë; pa koordinim; pa logjistikë; pa logjikë fare — ishte luftë e shtyre nga frika e asaj çka ndodhi, pamundësia për tu mbrojtur “të dytë” nëse dikush sulmon i pari dhe fakti që askush nga aktorët relevant që nga fillimi i vitit nuk komunikonte më mes veti. Askush nuk kishte ide se kush luftonte me kënd, secili ishte kundërshtari i secilit — e gjithë bota ishte shndërruar në një azil për të marrë! Me fjalë tjera vetëm pritej momenti ku dikush, për ndonjë arsyeje, shpërthen! Me at presion enorm mbi secilin shtet të globit, gjithmonë e në rritje, dhe nën petkun e frikës se pafundme që më nuk kishte prizëm diplomatik ku të dilte, një nga superfuqitë shpërthen — edhe në këto momente finale nuk e kam idenë cila ishte ajo — dhe lëshon të gjithë arsenalin e vet nuklearë, që brenda minutave bën të gjithë botën të përgjigjet njësoj duke hedh në ajër 10 mijë plus raketa; të madhësive të ndryshme, të cilat mund të shikohen nga çdo cep i botës — përsëri, LIVE nëpër sistemet transmetive që ende qëndronin në këmbë! Kënga finale e njerëzimit startoi në 11:08 të — mund ta paramendoni edhe vet tani më: TETË, TETOR, 2045! Ditën e fundit të jetës në këtë planet, të cilën unë — Zein Blakaj — jam duke e shiku nga ballkoni im në katin e pestë dhe jam duke regjistru këtë shpjegim për — nuk e di realisht për kon! — por shpresoj që dikush, në një të ardhme të largët të lexojë këtë çka kam shkruar, pasi ajo do të thoshte që ndokush kishte mbijetu kësaj kataklizme epokale që quajtëm sivjet të cilën e inicioji një pyetje, nga një vajzë e vogël 9 vjeçare në një ditë tepër të nxehtë të Nëntorit dhe një profet; i krijuar nga ne për të na shërbyer; i cili e kishte emrin SONIA.

Në fund deri sa i nxehti nuklearë të më marrë pa kthim e kam një pyetje që pi ja shtroj vetës që nga fillimi i kësaj marrëzie që ishte viti i fundit në këtë planet dhe ajo pyetje është se a dinte SONIA të gjithë këtë çka ka ndodhur apo parashikimi i saj krijoi atë çka ndodhi? Ajo do jetë mendimi im final në këtë jetë deri sa e mbylli këtë hyrje të ditarit dhe me një kafe në duart e mija, pres fundin e jetës në tokë të ndodh më një flakërim enorm!

Dhe ai po shihet në horizont …


메타데이터
post_id
52b2be57e554
slug
profeti-i-kiametit-52b2be57e554
url
https://medium.com/@elvinblakaj/profeti-i-kiametit-52b2be57e554
canonical_url
https://medium.com/@elvinblakaj/profeti-i-kiametit-52b2be57e554
author_url
https://medium.com/@elvinblakaj
status
ok
fetched_at
2026-07-11 11:04:43