Kjo përzgjedhje prej 10 filmash jo në gjuhën angleze, si çdo përzgjedhje është subjektive, por jam…










Kjo përzgjedhje prej 10 filmash jo në gjuhën angleze, si çdo përzgjedhje është subjektive, por jam munduar që ti jap objektivitet kritereve të mia me vlerësimet të dhëna nga kritika e kinemasë. Këta janë 10 filma kanë vlera në kinematografinë botërore dhe që unë do ja sugjeroja çdokujt për vetë universalitetin e temave që trajtohen dhe për vlera estetike, për risitë që sollën apo origjinalitetin që mbartin. Përzgjedhja është bërë e tillë që të ketë një shpërndarje gjeografike sa më të mirë dhe duke mos përfshirë më tepër se një film për regjisor në listë. Renditja nga numri 1 deri në 10 është kronologjike kohor. Përshkrimi do i jetë i shkurtër duke i kushtuar jo më tepër se 5 fjali secilit film dhe në mënyrë të tillë që të shmangë informacion që mund të humbte iinteresin e shikuesit për historinë.
1- Ladri di biciclete 1948 2- Rashamon 1950 3- The seventh seal 1957 4- The 400 blows 1958 5- 8 ½ 1963 6- The descreet charm of the bourgeoisie 1970 7- Mirror 1975 8- Wings of Desire 1987 9- Close up 1990 10- Chungking express 1994
1- Ladri di Biciclette Hajdut biçikletash është shpesh cituar si vepra më përfaqësuese e neorealizmit italian, lëvizje kinematografike që shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e filmit. Vittorio de Sica përcolli një kryevepër nëpërmjet portretizimin real që gjendjes sociale të pas luftës së dytë botërore, larg klisheve të kinemasë amerikanë, duke u përmbajtur të vërtetës dhe jo skemës Hollywood-iane të happy-end, e ku vihet re thjeshtësia në xhirime dhe një histori e ndodhive të zakonshme që kombinohen për ta krijuar në kryevepër. Ndryshe nga skenarë ku tematikat e rëndësishme shpjegohen me kompleksitet shpesh të pazbërthyeshëm, gjenialiteti i Ladri di biciclette qëndron tek mënyra e thjeshtë e trajtimit të temave të rëndësishme njerëzore. Drama është përcjellë mjeshtërisht nga aktorë amatorë në rrugët e Romës larg studiove të improvizuara, ka një parabolë të fuqishme, biçikleta e vjedhur ashtu si shpresa e marrë peng dhe roli i dinjitetit në një luftë të padrejtë mbijetese. Vetë skena finale na sjell në një rreth vicioz e të trishtë, ku çdokush tenton ta justifikojë me të drejtë veprimin final duke e etiketuar njeriun si viktimë e fatit të tij nga i cili nuk shkëputet dot.
2- Rashomon (1950) Në listën e filmave më të mirë në historinë e kinematografisë, një mori veprash me autorësi të Akira Kurosawa zënë padyshim vende të rëndësishme, ku mjeshtërinë e tij e gjejmë në shumë vepra si Ikiru, Yojimbo, The seven samurai, Ran, High and low, Dersu Uzala dhe padyshim Rashomon filmi që e bëri të njohur së pari në të gjithë botën. Skenat e para të filmit tregojnë tre personazhe që mblidhen në një strehë të rrënuar nën një shi të furishëm, që është pikësëpari pasqyrimi i shpirtit njerëzor në një kohë të dekadente dhe të mjeruar, pra një lloj paralelizmi se çfarë duket jashtë fshihet dhe brenda. E para fjali që përmendet është: “Nuk e kuptoj", dhe këtu qëndron një vlerë e padiskutueshme e filmit, të kuptuarit relativ të një situate, në rastin konkret në syrin e katër dëshmitarëve. Kurosawa edhe në këtë film nuk i shmanget mesazhit humanist, e mbi temat njerëzore janë ndërtuar pjesa dërrmuese e skenarëve me të cilët ai ka punuar por i hyn edhe thellë shpirtit njerëzor për të demaskuar dukjen dhe të vë në pah thelbin dhe ngre pyetje: “A nuk është gjykimi jonë shpesh nga tejçuese e gjykimit të dikujt tjetër, nga i cili ne jemi njohur me një situatë?” Vetë fundi i filmit shërben si çast reflektimi për të rimarrë në konsideratë gjykimet njerëzore dhe pikëpamjet tona mbi një çështje të caktuar por siç thotë dhe Kurosawa njeriu nuk mund të jetë i ndershëm as me vetveten kur flet për veten e tij.
3. The seventh seal (1957) Shpesh është pyetur nëse filmat e Bergman janë vepra kinematografike apo filozofike dhe tek The Seventh seal kjo dilemë bëhet më e dukshme dhe më e pasqaruar. Ndihmuar edhe nga një rrëfimi i jashtëzakonshëm fotografik pasqyruar me nota të forta kontrasti që e bëjnë edhe më dramatiken ngjarjen, ploti gërshetohet me përsiatje të thella filozofike dhe dilema të forta ekzistencialiste që ndjekin gjithë fillin e filmit, simbolizuar nëpërmjet lojës së shahut që kalorësi bën me vdekjen. Titulli i marrë nga Libri i zbulesës ose i ashtuquajturi Apokolipsi, të fut në labirinte ku gjen besimi dhe mosbesimi nuk duken dhe aq larg njëra tjetrës kur peshon me vetë jetën që qëllimet e saj. Ikonike janë skena hapëse e nisjes së lojës së shahut me dialogun epik që hap filmin kur vdekja i afrohet kalorësit dhe e pyet nëse është përgatitur (për të vdekur), kurse ai përgjigjet që trupi i tij ka frikë por ai jo, gjithashtu edhe skena mbyllëse me vallëzimit në majë të kodrës ku përmbushet kështu profecia e The seventh seal. Tema të tjera preken në film janë të ndryshme por përherë lind nevoja për ta riparë sepse gjithmonë gjen diçka që herët e tjera nuk e ke vonë re.
4. The 400 blows (1959) Truffaut ishte një ndër teoricienët e Nouvelle vague, stilit kinematografik që lindi në vitet 50’ e që revolucionoi njëherë e mirë gjithë mënyrën e të bërit film. The 400 blows është filmi i parë i rëndësishëm i Truffaut ku në mënyrë të dukshme ka nota biografike dhe madhështia e tij qëndron për vetë thjeshtësinë rrëfimit dhe notat e veta prekëse nuk ndërtojnë asnjë moral të ri e as gjykojnë por vetëm paraqesin atë ekzistues. Vetë filmi prej gati 90 minutash na jep jetën e një djali adoleshent të cilit i mungon dashuria e familjes dhe nuk gjen mbështetje askund përveç në disa prapësi që e çojnë në fund deri në shkollë riedukimi dhe deri në këtë pikë duket sikur ploti nuk ka asgjë interesante, por vetë mënyra e trajtimit të problemeve sociale të një shoqërie me anë të një filozofie të hollë na jep disa pikëpamje të rëndësishme më jetën që shpesh i anashkalojmë. Vetë jeta e personazhit është një peripeci, ai ikën nga shkolla, largohet nga shtëpia, dhe arratiset edhe në fund nga instituti deri sa arrin aty ku përherë kishte ëndërruar, aty ku e ka të pamundur të shkoi përtej. E gjithë skena finale mbyllet me një imazh të ngrirë, një imazh emblematik, por dhe një risi që solli nouvelle vague, thyerjen e murit të katërt.
-
8 ½ (1963) La doce vita bashkë me 8 ½ mbeten ndër filmat italianë më të vlerësuar nga kritika e vërtetë dhe të ashtu si dhe La strada kanë nevojë për thellim për gjykimin e metaforës mbi të cilën ato janë ndërtuar. Vetë 8 ½ është një rrëfim i mirëfilltë semi-biografik i Fellinit gërshetuar me fantazi, kujtime, humbje në të pandërgjegjshmen dhe shpesh kalon në retrospektive për të zbuluar dhe treguar atë që ai kishte përbrenda, atë që ai i rritur nuk e mund dot, një lloj apologjie kundrejt atyre që e rrethojnë. Në film personazhi i regjisorit që luhet nga Mastroiani është i rrethuar nga kërkesa të shumta nuk arrin të shkëputet dot prej trysnisë dhe nuk arrin të bëjë atë që ai do vetë e ashtu dhe si tek Citizen Kane i Welles përgjigjen e pyetjeve me të cilat përballet e kërkon në fëmijërinë e tij. Dëshira për arratisja nga realiteti që e rrethon jepet në skenën hapëse ku në ëndërr kërkon të fluturojë por dhe aty e mbërrijnë, dhe atë finale për përfaqëson një lloj katarsisi që mbyllet me shfaqen e cirkut. Vetë bukuria filmit qëndron se është një mësimi mirë jetë për këdo pa moralizuar askënd dhe një shkollë e mirë për një regjisor të ardhshëm, sa vetë Scorcese ka thënë se 8 ½ është një film të cilin e sheh të paktën e herë në vit.
-
The descreet sharme of the bourgeoisie (1972) Duke qenë që herët një ndjekës, përkrahës dhe më pas i përfshirë drejtpërsëdrejti në lëvizjen surrealiste, ishte kjo rrymë që e i dha emër në kinematografi Luis Bunuel-it. Edhe pse shpeshherë surrealizmi është cilësuar si logjikisht e mangët dhe estetikisht kaotike, në filmat e Bunuel jo vetëm që absurdi është formuar nepërmjet një logjike të pastër por edhe estetika e tij është tejet e rafinuar, madje vetë veprën ai e përdor instrument të fuqishëm për të dhënë mesazhe të rëndësishme dhe për kritikuar ose ironizuar pushtetin dhe padrejtësitë në një mënyrë krejt origjinale si në rastin e The descreet sharme of the bourgeoisie. Vetë filmi ka sharme e tij edhe është e pamundur të audienca të jetë indiferente ndaj historive që kapërcejnë njëra-tjetrën pa zbatuar rregullat e ngurtë të kinemasë tradicionale, ku secila skenë përbën një mesazh të fshehtë të cilin Bunuel ia lë në dorë spektatorit për ta interpretuar. Një darkë e planifikuar midis gjashtë miqve bourgeoisie shtyhet herë pas here ose ndërpritet nga ngjarje nga më të çuditshmet ose ëndrra simbolike që përbëjn thelbin e filmit, por asnjëherë personazhet nuk heqin dorë nga maskimi i tyre duke ruajtur me forcë e në mënyrë stoike deri në fund sjelljet borgjeze të rafinuare dhe hipokrite.
-
Mirror (1975) Tarkovky përfaqëson poezinë në kinema, dhe vetë filmi Mirror është konkretizim i stilit të tij poetik nëpërmjet imazheve në lëvizje dhe fuqisë së muzikës. Historia në Mirror dhe vetë ngjarjet ndërthuren në vazhdimësi, vija kronologjike thyhet disa herë, kujtimet dhe realiteti shkrihen me njëra-tjetrën, vetë kamera lëviz me një delikatesë të tillë që duket sikur reciton. I ati i Tarkovsky ishte poet e kështu traditën familjare ai e vazhdoi në kinema, dhe në film recitohen disa poezi ndërkohë që përshkruhet jeta e një djali dhe i të atit, të dy i bashkon fëmijëria e humbur. Filmat e Takovsky të zhysin në një përjetim unik dhe përbëjnë një përvojë të veçantë që ngjan një procesi meditimi, por që jo të gjithë kanë fatin ta përjetojnë. Ajo çfarë Mirror na sugjeron është një univers të cilit kemi dëshirë ti jepemi emocionalisht.
-
Wings of desire (1987) Ashtu si dhe filmat më të mirë, Wings of desire na ofron një përvojë unike, kësaj radhe nëpërmjet syve të dy engjëjve që janë prezent në rrugët e Berlinit, të padukshëm e pa i dëgjuar nga askush, për të mbledhur dëshmi të jetës së njerëzve. Kështu ndodhen pranë familjeve të ndryshme, një gruaje shtatzëne në ambulancë, një burri të falimentuar nga tradhtia e gruas, një prostitute të re dhe pranë dikujt që tenton të hidhet nga lartësia dhe e gjithë kjo eksperiencë vjen nëpërmjet një filozofie për jetën. Është njëri nga engjëjt që bie në dashuri në një vajzë akrobate trapezi dhe përndiqet nga dilemat nëse përjetësia qëndron mbi vlerat që emocionet tokësore, dhe këtë mëdyshje e ndan vetëm një tjetër ish engjëlli tanimë i kthyer në vdekatar e mund ta kuptojë. Fotografia e filmit, xhiruar në bardh e zi stil sepia e pjesërisht me ngjyra, na ofron disa imazhe vërtetë të jashtëzakonshme dhe reale të Berlinit, dhe ashtu si prezenca e Nick Cave & The bad seeds i ndërtojnë një mozaik që të përkryer brenda filmit që veçanërisht bazohet në forcën dhe filozofinë e dialogut. Wim Wenders nuk i lë asgjë rastësisë dhe estetika e filmave të tij tregon gjenalitetin dhe pikëpamjet origjinale që ai ka për kinematografinë.
-
Close Up (1990) Ashtu si Tarkovski edhe Kiarostami është një poet i kinematografisë por ndryshe nga rusi, regjisori iranian i trajton tema njerëzore pa kompleksitet dhe nuk e mban peng shikuesin me kthesa dramatike apo me enigma. Përtej trilogjisë Koker, The wind will carry us dhe Taste of cherry, dokumentari semi fiction Close Up është xhiruar sipas parimeve të cinema verite, ku ngjarja e ndodhur vërtetë dokumentohet e ku çdo personazh luan vetveten në film. Arrestimi i një personi për mashtrim përbën bazën e ngjarjes, por thelbi është i komplikuar, ai ka gënjyer vetëm për tu ndjerë i vlerësuar, për t’u ndjerë i rëndësishëm për herë të parë në jetën e tij. Gjithashtu Close Up na tregon se deri ku mund të arrijë dashuria që dikush ka për artin. Dua ti shmangem përshkrimit të ngjarjes sepse filmi është mirë të përthithet ashtu si Kiarostami kërkon ta sjellë, ngadalë, duke i zbuluar copëzat pa nxitim.
-
Chungking Express (1994) Wong Kar-Wai dhe Christopher Doyle bëjnë një ndër dyshet më të mira të kinemasë të pas viteve 90' ku do veçoheshin bashkëpunimet në masterpiece si Chungking Express, In the mood for love dhe Fallen Angels. Chungking Express është një miksim i asaj çfarë synon Kar-Wai në filmat e tij ritëm, aksion, romancë, emocion, muzikë dhe estetikë vizuale, por të gjitha këto ai i sjell sipas mënyrës së tij krejt të veçantë. Skenari i filmit gërsheton dy historive paralele dhe kjo ndodh pa sforcim, publiku pranon të kalojë nga historia e parë në atë të dytën pa rezistencë, madje pa qenë i vetëdijshëm nëse ato lidhen me njëra-tjetrën apo nëse do kthehemi edhe njëherë pas tek ajo fillestare. Një tjetër specialitet i Wong Kar-Wai është ndërtimi i personazheve dhe në rastin e Chungking Express, mund të them se ato janë pikturuar po aq bukur sa pikturat e Vermer, plot ngjyrë e të gjalla, personazhe që lehtë të mbeten në kujtesë.
메타데이터
- post_id
- 799e2d3bc430
- slug
- kjo-përzgjedhje-prej-10-filmash-jo-në-gjuhën-angleze-si-çdo-përzgjedhje-është-subjektive-por-jam-799e2d3bc430
- url
- https://medium.com/@renishyka/kjo-p%C3%ABrzgjedhje-prej-10-filmash-jo-n%C3%AB-gjuh%C3%ABn-angleze-si-%C3%A7do-p%C3%ABrzgjedhje-%C3%ABsht%C3%AB-subjektive-por-jam-799e2d3bc430
- canonical_url
- https://medium.com/@renishyka/kjo-p%C3%ABrzgjedhje-prej-10-filmash-jo-n%C3%AB-gjuh%C3%ABn-angleze-si-%C3%A7do-p%C3%ABrzgjedhje-%C3%ABsht%C3%AB-subjektive-por-jam-799e2d3bc430
- author_url
- https://medium.com/@renishyka
- status
- ok
- fetched_at
- 2026-07-28 08:12:08